Fillimi i shkollës, Drejtori i Policisë Proda: Siguria në shkolla mbetet një nga prioritetet kryesore

Jugulajm.net
2 Min Read

Me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka përcjellë një mesazh për nxënësit, mësuesit dhe prindërit, duke theksuar se siguria në shkolla mbetet një nga prioritetet kryesore të Policisë.

“Çdo fillim i vitit të ri shkollor është emocion i madh për të gjithë, sepse aty ndërtohet e ardhmja e fëmijëve tanë. Për Policinë e Shtetit, siguria në shkolla është dhe mbetet prioriteti ynë kryesor”, u shpreh Proda.

Ai bëri të ditur se Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe të gjithë aktorët e përfshirë, do të garantojë mjedise të sigurta brenda dhe rreth shkollave, përmes angazhimit të oficerëve të sigurisë, patrullave të përgjithshme, Policisë së Rrugores, Policisë së Kriminales dhe strukturave të Policimit në Komunitet.

“Ne besojmë se vetëm së bashku mund t’u japim fëmijëve tanë atë që meritojnë: një vit të qetë, të sigurt dhe të mbushur me dije”, shtoi drejtori i Policisë së Shtetit.

Proda ftoi të gjitha institucionet dhe aktorët që i ngarkon ligji të zbatojnë masat e përcaktuara në Paketën e Sigurisë në Shkolla, duke theksuar se synimi i përbashkët është mbrojtja e fëmijëve.

Në fund të mesazhit, ai uroi një vit të mbarë shkollor për të gjithë nxënësit, duke shprehur veçanërisht mirënjohjen për fëmijët e punonjësve të policisë, të cilët nuk u shoqëruan sot nga prindërit për shkak të detyrës, si edhe për fëmijët e dëshmorëve të Policisë së Shtetit.

Share This Article