VIDEO/ Policia ndihmon pushuesit në Sarandë e Palasë, u rrezikuan gjatë lundrimit në det

Jugulajm.net
1 Min Read

Policia Kufitare e Vlorës iu shkoi sot në ndihmë disa pushuesve që u rrezikuan gjatë lundrimit me mjetet e tyre lundruese, në Sarandë dhe në Palasë.

Policia e Shtetit njoftoi se “shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë me mjetet e tyre lundruese dhe bënë të mundur ndihmën dhe shoqërimin e sigurt të turistëve dhe mjeteve lundruese drejt bregut”.

“Pas marrjes së njoftimit se, rreth një milje larg Gjirit të Sarandës, kapiteni i një jahti me flamur maltez kërkonte ndihmë pasi mjeti i tij lundrues kishte pësuar defekt dhe kishte marrë ujë, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur shoqërimin e kapitenit në mënyrë të sigurt në breg dhe rimorkimin e jahtit në Portin e Limionit”, njoftoi policia.

Më tej, forcat blu njoftuan se “në zonën e Shën Andreut, disa turistë që ndodheshin në bordin e një mjeti lundrues po rrezikoheshin për shkak të kushteve të vështira të detit, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur shoqërimin e turistëve në mënyrë të sigurt në breg dhe ankorimin e mjetit të tyre lundrues në molin e Palasës”.

Share This Article