Frikë, dëshpërim dhe thirrje për ndihmë nga një familje shqiptare në kërkim të njeriut me te dashur. Klevis Xhani, 26-vjeç është shpallur i humbur nga familjarët pasi prej shumë kohësh kanë humbur kontaktet me të.
Motra e 26-vjeçarit, me zemrën e thyer, e dëshpëruar për të dëgjuar një lajm për vëllain ka kërkuar ndihmë në mediat online dhe rrjetet sociale që kushdo që jeton dhe punon në Alicante të Spanjës nëse ka dëgjuar apo e ka parë, të kontaktojë familjen.
Ajo ka treguar se me 26-vjeçarin Klevis Xhani, i cili jetonte dhe punonte në Alicante të Spanjës i kanë humbur kontaktet prej majit të vitit 2024.
Fillimisht ai ishte i rregullt dhe i përkushtuar ndaj familjes, por më pas filloi të përdorte substanca narkotike.
“Filloi të na kërkonte para dhe debatonte me ne. Që nga maji i vitit 2024 nuk kemi asnjë shenjë jete prej tij, nuk hap më telefonin, nuk i shkojnë mesazhet, duket sikur ka bllokuar çdo kontakt ose ka ndërruar numër. Nëse ndokush që jeton në Alicante ose që e ka njohur Klevisin ka ndonjë informacion për të, është i lutur të kontaktojë në numrin: 0697846397”.
Rasti është raportuar edhe në polici, por edhe pse ka kaluar më shumë se një vit, nuk dihet ende asgjë për fatin e tij.




