Një episod shqetësues u regjistrua mbrëmjen e së premtes në shetitoren e qytetit bregdetar, ku një turist italian u pa duke lëvizur me një thikë në dorë mes pushuesve, duke shkaktuar panik dhe alarm në zonë.
Ngjarja ndodhi në një prej vendeve më të frekuentuara të qytetit, ku prania e turistëve dhe kalimtarëve ishte e madhe. Sipas dëshmitarëve, burri shfaqte sjellje të çrregullta dhe dukej nën ndikimin e alkoolit.
Policia ndërhyri me shpejtësi, duke neutralizuar personin pa përdorur forcë të tepruar dhe pa shkaktuar incidente apo dëmtime tek qytetarët.
I dyshuari, i identifikuar si Th. M., 32 vjeç, nga Perugia, Itali, ndodhej me pushime në Shqipëri. Ai u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Sarandës, ku po merret në pyetje për të zbardhur motivet e veprimit të tij.
Burime nga policia bëjnë me dije se ai ishte në gjendje të dehur dhe dyshohet të ketë probleme të shëndetit mendor. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar, ndërsa hetimet vijojnë.