Një zjarr masiv ka përfshirë pasditen e sotme tregun ambulant në zonën e plazhit në Durrës. Mediat raportojnë se si pasojë e zjarrit janë shkaktuar vetëm dëme materiale, të cilat kanë qenë të konsiderueshme.
Disa makina zjarrfikëse të qytetit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për shuarjen e zjarrit. Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar në njerëz. Disa prej trregtarëve u munduan të shpëtojnë mallin.
Tregu duket i gjithi i mbuluar nga flakët dhe tymi. Si pasojë e zjarrit në tregun ambulant në Durrës, është bllokuar qarkullimi rrugor në rrugën “Pavarësia” në plazh. Nuk dihet shkaku i shpërthimit të zjarrit, por edhe në vitet e shkuara në këtë treg ka pasur incidente të ngjashme.
Shesh herë janë hedhur dyshime se zjarret mund të jenë të qëllimshmme për t’u hapur rrugë ndërtimeve të reja. Megjihatë nuk përjashtohet mundësia që zjarri të ketë qenë aksidental si pasojë e ndonjë shkëndije elektrike apo dhe kushteve jo të sigurta të tregut.




