Operacioni “Bidoni i Hidhur” Policia Sarandë ndjek me përkushtim hajdutin e rakisë

Jugulajm.net
2 Min Read

Pas një karriere plot përballje me krime të rënda, trafik ndërkombëtar, pastrim parash dhe korrupsion galopant, Policia e Sarandës më në fund ka gjetur një çështje serioze për t’u marrë me të gjithë forcat e saj: vjedhjen e disa bidonëve me raki në fshatin Mesopotam.

Sipas një njoftimi madhështor nga Komisariati, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë referuar materialet në Prokurori, kanë mbledhur prova (me shumë gjasë edhe aromë), dhe kanë nisur procedimin penal ndaj shtetasit P. A., 55 vjeç, për “krimin” e shenjtë, përvetësimin e dhjetëra litrave raki popullore.

Nuk dihet nëse është përfshirë RENEA, por burime të pakonfirmuara raportojnë se një njësi hetimi special është dërguar për të verifikuar shishet bosh dhe për të analizuar “gjakun e rrushit” të humbur.

Ndërkohë që grabitësit e pronave publike enden të lirë dhe trafikantët ndërtojnë resorte luksoze, drejtësia në Sarandë ka zgjedhur të jetë e pakompromis… me rakinë!

“Ligji është i barabartë për të gjithë”,  thonë zyrtarët. Sidomos për ata që prekin rezervat strategjike të alkoolit të fshatit.

Ndërkohë, krimi i organizuar hedh valle në këtë qytet. Trafikantët ndërtojnë hotele me katër yje, pastruesit e parave ngrenë resorte luksoze, tenderët ndahen si pite dhe askush nuk e shqetëson këtë festë të heshtur me muzikë të lartë dhe drejtësi të shurdhët. Por rakinë… jo, atë nuk e falim dot!

Në vijim pritet edhe një konferencë për shtyp, ku mund të paraqiten provat: një bidon gjysmë i mbushur dhe një kapak i dëmtuar shenjë e një lufte të ashpër me etikën dhe ligjin.

Burimi: In-Front.org

Share This Article