Nga Fejzo Subashi
Në çdo proces zgjedhor demokratik, është domosdoshmëri që të bëhet një analizë e thellë e administrimit dhe menaxhimit të tyre. Kjo analizë nuk duhet të mbetet dhe të mjaftohet vetëm nga ajo që bëhet nga syri i organizmave ndërkombëtare. Një analizë e thellë dhe marrje e një përgjegjësie duhet edhe nga vetë subjektet garuese dhe institucioni menaxhues. Pavarësisht rezultatit , megjithëse kemi bër shumë zgjedhje, nuk kemi deri më sot ndonjë analizë të thellë, aq më pak reflektim, apo përmirësimin të tyre. Situata dhe qasja që sollën zgjedhjet e 11 Majit tregojnë qartë këtë situatë të sistemit dhe procesit zgjedhor. Në debatin që bëhet mbas këtij procesi, në vend që subjektet garuese të bëjnë një analizë dhe të nxjerrin konkluzione, ku të marrin vendime për përmirësimin e këtij procesi, në realitet më shumë bëjnë viktimën dhe qaramanin sesa të marrin përgjegjësin për atë që arritën dhe morën.
Shpesh në këto analiza dhe debate ngatërrohen ose përzihen tre elementë që që janë në përfundim të tyre. Këto në të vërtetë, duhen ndarë dhe analizuar më vete: standardet e zgjedhjeve, rezultati i tyre, dhe përgjegjësia për to. Ndërsa politika dhe aktorët ndërkombëtarë i japin më shumë rëndësi standardeve dhe certifikimit formal të tyre, qytetarët shpesh e përjetojnë vetëm rezultatin: fitoren ose humbjen. Por kjo është një ndarje e rrezikshme dhe e mangët. Standardet zgjedhore nuk janë thjesht teknikalitete.
Ato përcaktojnë cilësinë e demokracisë. Lista e votuesve, barazia në garë, qasja në media, ndarja e pushteteve, dhe mbarëvajtja e ditës së votimit janë faktorë që ndikojnë thellësisht në legjitimitetin e një rezultati. Nuk mjafton që të mos ketë incidente: zgjedhjet pa zgjedhje janë forma më e sofistikuar e manipulimit në një regjim të mbështjellë me letërnjoftimin e demokracisë.
Humbja apo fitorja janë pasoja, jo dëshmi të ndershmërisë.
Një humbje nuk dëshmon vetvetiu se zgjedhjet ishin të manipuluara; një fitore nuk është prova e fitores morale. Pranimi i rezultatit është akt qytetarie, por edhe akt përgjegjësie. Mospranimi i rezultatit duhet të bazohet në prova, jo në ndjenja. Ndryshe, bëhet pjesë e një kulture që nuk njeh as humbje, as transparencë.
Përgjegjësia është e përbashkët: politikë, ndërkombëtarë dhe qytetarë.
Politikanët kanë për detyrë të garantojnë garë të ndershme. Organizmat ndërkombëtarë certifikojnë vetëm atë që munden të shohin në sipërfaqe. Por aktori kryesor, shpesh i nënvlerësuar, është qytetari. Vota e tij, vëzhgimi i tij, mosshitja e votës, pjesëmarrja e vetëdijshme janë elementi më i fortë i një demokracie që funksionon jo vetëm në letër.
Në një demokraci të vërtetë, nuk mjafton të fitosh; duhet të fitosh me dinjitet. Nuk mjafton të pranosh rezultatin, duhet të ndërtosh besimin te procesi. Dhe ky besim ndërtohet vetëm kur standardet, rezultatet dhe përgjegjësitë ndahen qartë, menaxhohen me maturi dhe mbikqyren nga një shoqëri e ndërgjegjshme.




