Një aksident i rëndë me pasojë vdekje ka ndodhur sot rreth orës 13:35 në rrugën nacionale Vlorë–Fier, pranë një karburanti në afërsi të zonës ‘ELDA’.
Raportohet se një motomjet tip “Piaggio” ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke u përplasur fillimisht me një shtyllë elektrike dhe më pas me një shtyllë tjetër prej druri.
Si pasojë e përplasjes së fortë, dy persona që ndodheshin në mjet kanë mbetur të dëmtuar rëndë.
Të dy janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës. Fatkeqësisht, njëri prej tyre ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra, ndërsa tjetri ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Identiteti i viktimës dhe i të plagosurit ende nuk është bërë i ditur nga autoritetet. Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit.




