VIDEO/Çelet Muzeu Etnografik në Memaliaj me një kosto të pabesueshme, reklamohen traditat e zonës

Jugulajm.net
2 Min Read

Muze Etnografik vlera e të cilit nuk ka kushtuar më shumë se 600 euro, vetëm në Memaliaj mund të gjesh.

Kjo vlerë mjaft e vogël, ka bërë që qyteti i Memaliajt sot, të ketë një muze ku janë reklamuar fondi më i çmuar i traditave dhe trashëgimisë së zonës verilindore e veriqëndrore të Qarkut Gjirokastër. Ky muze ndodhet mu në qendër të qytetit dhe nga kushdo mund t’a vizitojë atë pa asnjë lloj kostoje. Në këtë muze janë të shfaqura 11 veshje të zonës që përmbledh të gjitha njësitë administrative të Memaliajt çka përbën një risi dhe unikalitet në llojin e vet.

Objekte të ndryshme të trashëgimisë kulturore të zonës duke nisur nga ato të kulinarisë së hershme, punime artizanale, stoli të përgatitura me dorë, kostume e veshje karakteristike të zonës kryesisht në lesh, janë pjesë e gamës së shfaqur në këtë muze modest që synon të tërheqë vizitorë jo vetëm nga Shqipëria por dhe nga bota.

Sipas kryetarit të Bashkisë së Memaliajt Albert Malaj, po punohet ndërkaq me përfundimin e veshjes së Tafil Buzit liderit i rezistencës ndaj Perandorisë Osmane nga Buzi i Memaliajt në shekullin XIX dhe veshje të tjera të zonës.

Brenda pak muajve ky është muzeu i dytë që është çelur në Memaliaj pas muzeut të minierës që mesa duket ka qenë në fokusin e interesit sidomos të turistëve lindorë kryesisht nga Polonia, Hungaria, Lituania që kanë një përvojë të ngjashme me minierat e qymyrgurit në vendet e tyre.

 

Share This Article