Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar tre punonjës policie dhe një doganier, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” pasi kanë lejuar kalimin e një kamioni me drogë përmes pikë kufitare të ‘Hanit të Hotit’.
Ndalimi i tyre ka ardhur pas hetimeve disa mujore mbi procedimin penal të vitit 2023. Në këtë mënyrë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër – Lezhë) “në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor dhe Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ka ekzekutuar urdhërat e ndalimit për tre punonjës policie dhe një doganier, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.
Të arrestuarit janë L. Ç., punonjës policie në Pikën Kufitare “Hani i Hotit”, F. H., punonjës policie në Pikën Kufitare “Hani i Hotit”, T. M., punonjës policie në Pikën Kufitare “Hani i Hotit” dhe S. E., me detyrë Doganier në Pikën Kufitare “Hani i Hotit”.
Sipas Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, tre punonjësit e policisë dhe doganieri kanë lejuar kalimin e kamionit me targa shqiptare i cili ka rezultuar i ngarkuar me lëndë narkotike të llojit ‘Canabis Sativa’ pas kontrollit nga autoritetet malazeze.
“Urdhrat e ndalimit vijnë pas hetimeve të thelluara me metoda speciale në lidhje me ngjarjen e datës 17/09/2023, ku një kamion me targa shqiptare, pasi ka kryer procedurat e daljes nga Republika e Shqipërisë nëpërmjet Pikës Kufitare “Hani i Hotit”, në kundërshtim me ligjin dhe procedurat standarde, është ndaluar nga policia e Pikës së Kalimit Kufitar “Bozaj”, Mali i Zi, pasi në kamion është gjetur një sasi prej 442.084 kg lëndë narkotike e dyshuar “Canabis Sativa”, thuhet në njoftimin e AMP-së.




