Prokurorja Esmeralda Basho, e ngarkuar me çështjen e ka zvarritur për dy vjet çështjen dhe sipas avokatit, ajo dukshëm ka mbajtur anën e forcave të policisë. Zonja Basho e bazon akuzën në pamjet filmike dhe tek një celular, që ka filmuar policët atë mbrëmje.
Por, këto dy prova që tregojnë situatën ndryshe, janë zhdukur. “Unë mendoj se këtë telefon e ka zhdukur prokurorja për arsye sepse janë djemtë e xhaxhait të kësaj prokuroreje. Ka një ndikim të qartë, të pastër, plus ajo që unë kam marrë vesh është që prokuroja ka dhe lidhje të tjera në polici të cilat e kanë ndikuar në procedurën hetimore dhe unë mendoj se prokurorja Esmeralda Basho është përgjegjësja kryesore dhe për administrimin e dosjes dhe unë vlerësoj që këtë telefon e ka vjedhur prokuroja. Sepse kemi të bëjmë me një vepër penale të vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, tha avokati Arben Llangozi.
Ish-prokurori Eugen Beçi tregon procedurën, sesi merret një provë nga kamerat e biznesit.
“Mbi të gjitha kur shkon në gjykatë, në gjykatë nuk shkon vetëm proces verbali. Në gjykatë shkon edhe prova konkrete materiale. Për të shpjeguar më qartë, në rast se ti si prokuror ke sekuestruar një telefon, proces verbali i sekuestrimit duhet që të shoqërohet patjetër me telefonin, sepse në sallën e gjyqit prova e vërtetë nuk është proces verbali, por është telefoni që përmban këto të dhëna në mënyrë që t’i i ke këqyrur dhe i pasqyron në proces verbalin përkatës. Ky është thelbi i procedurës penale, për të pasur një proces të rregullt ligjor”, tha Eugen Beçi.
Ndërsa mënyra e përdorur, sipas tij është amatoreske dhe nuk i shërben zbardhjes së ngjarjes.
“Kemi një hetim gati dy vjet zvarritje. Më pas në momentin e përfundimit të hetimeve, jemi njohur me aktet dhe aty konstatoj një sërë veprimesh hetimore, të cilat ishin të pavlefshme. I kam kërkuar prokurores konstatimin e veprimeve hetimore si të pavlefshme, madje prokurorja kishte arritur deri aty saqë kishte bërë “copy-paste” relacionin e prokurorisë. Unë kam kryer edhe një akt ekspertimi, ku nga ekspertët rezulton se ky relacioni i oficeres së policisë ishte identik me atë të përfundimit të hetimeve. Ishin të njëjtat gabime drejtshkrimore”, shtoi avokati.
Një detaj tjetër mbi manipulimin e këtij rasti, është dhe relacioni i mbushur me gabime drejtshkrimore dhe lapsuse, që janë marrë të gatshme. “Kemi konstatuar që në paragraf, në përmbajtje, në fjalë apo togfjalësh, në shenja pikësimi, kemi konstatuar që ka një përputhje të plotë mes këtyre veprimeve të kryera me persona të ndryshëm. Kemi të bëjmë me një kopim mekanik ‘copy-paste’. Një hetim jo korrekt që nuk është objektiv, por është subjektiv dhe thjesht është bërë një marrje e deklarimeve nga një person teknik në një tjetër, me metodën e kopjes”, tha ish-drejtuesi i Policisë Shkencore.
Ish-drejtuesi i Policisë Shkencore, që ka analizuar videon nuk evidenton asgjë madje as shenjat dalluese të policisë së shtetit.
“Nga an jonë janë përdorur të gjitha teknikat ekzamintaive më bashkëkohore, që disponojnë shërbimet homologe të Policisë Shkencore, njëkohësisht i disponon dhe qendra jonë shkencore, por nuk kemi nxjerrë në evidencë karakteristika të përgjithshme dhe të veçanta që identifikojnë personat e përfshirë në këtë ambient. Njëkohësisht nuk kemi mundur që të nxjerrim në evidencë shenja dalluese, që të identifikohen si persona që kryejnë funksione të punonjësve të Policisë së Shtetit, por ne kemi për aq sa kam rrezja e veprimit të kamerës numrin e personave që janë të pranishëm”, shtoi ish-drejtuesi i Policisë Shkencore.




