EMRI-FOTO/ 26-vjeçarja ndërron jetë pas rënies nga kati i 17-të, i dashuri dyshohet se nxiti vetëvrasjen

Jugulajm.net
2 Min Read

Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin ditën e djeshme, kur një vajzë e re humbi jetën në rrethana dramatike në lagjen “Lakrishtë” të Prishtinës.

26-vjeçarja Xheneta Ejupi, ra nga kati i 17-të i një ndërtese banimi dhe ndërroi jetë në vend.

Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se viktima kishte jetuar me qira në atë apartament dhe dyshohet se për një periudhë të gjatë kohore kishte qenë nën presion të madh psikologjik nga partneri i saj, 30-vjeçari, Valmir Sheqiri.

Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari është arrestuar dhe ndaj tij është iniciuar procedurë penale për veprën penale “nxitje në vetëvrasje”.

Hetuesit kanë ndërmarrë veprimet e para menjëherë pas incidentit, duke bërë ekzaminimet përkatëse.

Me urdhër të Prokurorisë, i dyshuari është ndaluar për 48 orë në kuadër të hetimeve që janë ende në zhvillim.

Trupi i pajetë i së ndjerës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërkohë që familjarët kanë bërë të ditur se ceremonia mortore do të mbahet sot në orën 18:00.

Lajmi i hidhur është konfirmuar edhe nga një familjar i viktimës përmes rrjeteve sociale, me fjalët prekëse: “Te Allahut jemi dhe te Ai do të kthehemi”.

Ndërsa institucionet përkatëse vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht këtë rast të rëndë.

Share This Article