Kur besnikëria bëhet luks/ Disa fjalë të vërteta për kundërshtarin Tërmet Peçi

Jugulajm.net
5 Min Read

Nga Telnis Skuqi

Ka njerëz që të ndihmojnë për të marrë diçka në këmbim. Ka të tjerë që ndihmojnë sepse e ndjejnë si detyrim njerëzor, pa pritur mirënjohje, pa kërkuar lavdi. Tërmet Peci ishte një nga ata të fundit përpara se të largohesha nga mëmëdheu.

Kur më shkarkuan nga detyra e gazetarit në ATSH për shkak të një investigimi mbi trafikimin e lëndëve narkotike përmes avionëve, u ndodha në një situatë të vështirë. Ishte një nga ato momente kur sistemi përpiqet të të mposhtë, kur e vërteta bëhet një barrë e rëndë dhe mbështetja mungon.

Në atë kohë, një nga të paktët që zgjati dorën pa hezitim, përveç kryebashkiakut të Gjirokastrës, Flamur Bime, ishte kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peci. Ai e kuptoi se në atë periudhë, më shumë se kurrë, kishim nevojë për mbështetje të ndërsjellë, dhe kështu, ai zgjodhi të ishte aleati im më i rëndësishëm në momentin më të vështirë të jetës sime, duke parë përtej bindjeve politike.

– Eja të fillosh punë sot, jo nesër, – më tha shkurt Peci.

Për shumë kohë, ky akt i tij mbeti një kujtim i rëndësishëm, i cili më la një ndjenjë mirënjohjeje dhe respekti për Peci-n. Por, siç ndodh shpesh në politikë, ndodhin ndryshime të papritura.

Së fundmi, kam parë një situatë që më ka tronditur dhe më ka rikthyer në mendje ato momente të vjetra.

Rreth gjashtë vite më parë, pata një tjetër çështje në fokusin tim gazetaresk: arsimin e pashëndetshëm të Flamur Golemit, kryebashkiakut të Gjirokastrës. Kur nisën publikimet e mia mbi këtë çështje, Tërmeti më kërkoi ta rishikoja qëndrimin tim për të. Nuk ma kërkoi si urdhër, as si favor. Ma kërkoi si një njeri që dikush tjetër është në vështirësi, sepse ai beson se ndoshta mund të ketë një rrugë më të butë për të dalë nga ajo situatë.

Ai nuk kishte asnjë detyrim ndaj Flamur Golemit, madje ndërhyrja ishte veprim i tij i pastër (e besoj këtë), ndoshta shihte tek ai një koleg, një njeri që do të përballej me sfida të tjera më vonë. Nuk e di çfarë e shtyu, por di që nuk më vuri kurrë në një pozitë të vështirë. Nuk kërkoi të më ndalonte, por vetëm të reflektoja.

Unë e paralajmërova: “Njerëzit e paditur dhe të promovuar artificialisht në poste drejtuese përfundojnë duke dëmtuar jo vetëm veten, por edhe ata që i ndihmojnë.” Nuk e thashë nga mëria, as nga ndonjë mllef personal. E thashë sepse historia na mëson se paaftësia është një e keqe që shfaqet me vonesë, por gjithmonë me pasoja.

Sot, Flamur Golemi, njeriu për të cilin Termeti ndërhyri dikur me një kërkesë njerëzore, është i njëjti që nuk është treguar lojal ndaj tij. Nuk më habit ky fakt. Nuk është hera e parë që një individ i ngritur në mënyrë artificiale nuk di të ruajë as miqtë, as ndihmësit e tij. Ajo që më shqetëson nuk është sjellja e Golemit, por dëshmia se sa e parashikueshme ishte kjo.

Nuk e shkruaj këtë për të lavdëruar Termet Peci. Ai nuk më kërkoi asnjëherë ta bëj këtë. Nuk më tha asnjëherë që t’i jap meritat që i takojnë. Por unë e di se çfarë ndodhi dhe ndiej detyrimin ta them. Sepse ka rëndësi të kujtojmë që ndihma e sinqertë nuk vdes, edhe kur nuk shpërblehet. Dhe se ata që ngjiten lart pa themel, përfundimisht shemben, duke lënë pas vetëm ata që i paralajmëruan për rënien e tyre.

Politikisht, nuk dëshiroj që Termet Peci të fitojë. Por në marrëdhënie njerëzore, e dëshiroj me shpirt fitoren e tij, sepse njerëzit si ai, të cilët ndihmojnë me zemër, meritojnë të mos e ndiejnë kurrë zhgënjimin e një bote që shpesh i tradhton.

Shënim:
Edhe pse kam vite që nuk kam komunikuar me Termet Peci, madje ende nuk e kam uruar për kandidimin e tij, jam i vetëdijshëm që ai nuk do të më falë për këtë rrëfim. Megjithatë, e ndjeva si një nevojë të ndash këtë histori, sepse ajo pasqyron një aspekt të natyrës njerëzore që shpesh mbetet jashtë vëmendjes së publikut.

Share This Article