Familja e Martin Canit ‘shuplakë’ Ramës: Po përdor vrasjen për qëllime politike, Martini s’u vra nga TikTok-u, por nga thika

Jugulajm.net
4 Min Read

Familja e Martin Canit ka reaguar pas vendimit të Edi Ramës për të mbyllur TikTok.

Me anë të një deklarate për mediat, familja Cani shprehet e indinjuar se Martini nuk kishte asnjë llogari në Tik Tok, ndërsa shprehet se vrasja e tij po përdoret për qëllime politike.

Ata theksojnë se Martini nuk u vra nga TikTok, por nga një thikë e drejtuar nga një bashkëmoshatar i tij.

Më tej shtojnë se Martini u vra nga një sistem arsimor ku mungojnë masat për sigurinë në shkolla, ku institucionet arsimore dhe ato të rendit nuk marrin masa për të parandaluar dhunën.

Ai u vra për shkak se prindërit nuk u njoftuan nga shkolla për incidentin e të premtes, duke mos pasur mundësinë e parandalimit te tragjedisë.

Familja e Martin Canit kërkon që institucionet të ndalojnë përdorimin e vrasjes së tij si një justifikim për vendime që nuk adresojnë shkaqet e vërteta të kësaj tragjedie!

Deklarata e Familjes Cani:

Familja Cani dënon përdorimin e vrasjes së Martin Cani për qëllime politike!

Ne, familja e Martin Canit, e kemi ndjekur me dhimbje dhe indinjatë të thellë mënyrën se si tragjedia jonë po përdoret për qëllime politike dhe për të justifikuar vendimin e qeverisë për mbylljen e rrjetit social TikTok.

Duam ta themi qartë dhe publikisht: Martini nuk kishte një llogari në TikTok dhe Martini nuk u vra nga TikTok! Martini u vra nga një thikë e drejtuar nga një bashkëmoshatar i tij.

Martini u vra nga një sistem arsimor ku mungojnë masat për sigurinë në shkolla, ku institucionet arsimore dhe ato të rendit nuk marrin masa për të parandaluar dhunën. Ai u vra për shkak se prindërit nuk u njoftuan nga shkolla për incidentin e të premtes, duke mos pasur mundësinë e parandalimit te tragjedisë.

Martini u vra nga një sistem shëndetësor ku urgjenca e dërgon në spitalin më të largët, për shkak të një protokolli absurd, megjithëse QSUT ishte vetëm 3 minuta larg. Martini u vra sepse në Spitalin e Traumës mungon kardiokirurgu si dhe pajisja e specializuar Extracorporeal Circulation Machine për riparimin e zemrës.

Ndërkohë, ajo që po vret Martinin për së dyti është mungesa e drejtësisë dhe papërgjegjshmëria e institucioneve! Drejtësia për Martinin ende nuk është vënë në vend, dhe familja jonë nuk do të ndalet së kërkuari që kjo vrasje të mos kalojë në heshtje.

Ne nuk pranojmë që emri i Martinit të përdoret për të justifikuar vendime politike që nuk kanë të bëjnë me vrasjen e tij. Në vend që të merren masa për rritjen e sigurisë në shkolla, për të forcuar edukimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve, për të parandaluar raste të tjera tragjike, qeveria po kërkon të zhvendosë vëmendjen dhe të shmangë përgjegjësinë e saj reale.

Ne kërkojmë DREJTËSI PËR MARTININ!

Ne kërkojmë që institucionet të ndalojnë përdorimin e vrasjes së Martinit si një justifikim për vendime që nuk adresojnë shkaqet e vërteta të kësaj tragjedie!

Martini ishte një djalë i mirë, një futbollist me ëndrra, një fëmijë që meritonte të jetonte. Të mos e vrasim për herë të dytë me hipokrizi dhe manipulime politike.

Familja Cani

Share This Article