Gjykata e Sarandës, me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit, ka vendosur sekuestrimin e disa pasurive të biznesmentit 43-vjecar Romeo Laze.
Laze është dënuar në fund të vitit 2022 me 4.7 vjet heqje lire për akuzën “prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”. Laze u arrestua në 28 gusht 2021 në kuadër të operacionit “Çuka”. Gjatë kontrollit të banesës së Lazes, policia e Sarandës gjeti dhe sekuestroi 1.2 kg kokainë, 3 peshore elektronike, një shumë të konsiderueshme në lekë dhe euro si dhe 3 automjete e 3 motocikleta.
Komunikata:
Vihet sekuestro mbi 3 pasuri të paluajtshme në pronësi të një shtetasi, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, i DVP Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës, në vijim të punës për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara nga veprimtari të paligjshme/kriminale, në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pas një pune të detajuar hetimore dhe gjurmuese, ka ekzekutuar vendimin për sekuestrimin e disa pasurive të dyshuara me burim kriminal.
Në këtë kuadër, u vu sekuestro mbi pasuritë e shtetasit Romeo Laze 44 vjeç, banues në Sarandë, me precedent penal në fushën e narkotikëve, konkretisht:
•1 ndërtesë me sipërfaqe 21 m²;
•1 truall me sipërfaqe 100 m²;
•1 subjekt tregtar me fusha veprimtarie lavazh dhe tregti automjetesh.
Hetimet vijojnë për të zbuluar burimin e këtyre pasurive të shtetasit Romeo Laze.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Sarandës, për veprime të mëtejshme.