Përleshja mes dy grupeve të të rinjve me pasojë një të plagosur rëndë dhe tre të lënduar ka edhe dy persona të tjerë të dyshuar si autorë, të shpallur në kërkim sot (10 mars) nga policia e Vlorës.
Përveç 25-vjeçarit, në kërkim janë shpallur edhe një 58 vjeçar dhe një 41 vjeçar.
“Përveç A. B., 25 vjeç, u shpallën në kërkim edhe A. K., 58 vjeç, dhe L. B., 41 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “plagosja e rëndë me dashje”, e kryer në bashkëpunim”, tha policia vendore.
Burime zyrtare njoftuan se përleshja ndodhi për motive të dobëta në një lavazh në qytetin bregdetar mesditën e djeshme .
Në fillim u raportua se njëri prej tyre, 20 vjeç, i cili ndodhet i shtruar në spital, është plagosur me thikë, por policia sqaron se ka marrë goditje nga sende të forta dhe ka çarje serioze në kokë.
“Në vijim të veprimeve për konfliktin në lagjen “Hajro Çakërri”, falë administrimit të pamjeve filmike, u identifikuan edhe dy shtetas të tjerë të dyshuar si bashkëautorë në dëmtimin me sende të forta të shtetasit K. H., 20 vjeç, i shtruar në spital, dhe të shtetasve R. Y., R. M. dhe D. I., të dëmtuar lehtë. Sqarojmë se dëmtimi i shtetasit K. H. nuk është shkaktuar nga një mjet prerës, por nga goditje me sende të forta”, tha policia vendore.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.