Ndryshon rregullorja e Policisë, nga leja vjetore te shpërblimet, detyrat, shtohet e drejta e ndalimit dhe…

Jugulajm.net
4 Min Read

Shtohen kompetencat e Policisë së Shtetit. Rregullorja e re, tashmë botuar në Fletoren Zyrtare detajon me hollësi kompetencat, mënyrën e ushtrimit të veprimtarisë, si dhe risitë e pranimit të donacioneve dhe lejimin e mësimdhënies.
Policët duhet të identifikohen te qytetarët dhe t’i informojnë paraprakisht për arsyen e ndalimit, duke i kërkuar fillimisht zbatimin vullnetar të urdhrit të ndalimit dhe zbrazjen e mjeteve të rrezikshme.

Mënyrat e zbatimit të ndalimit të përkohshëm policor përfshijnë shoqërimin në këmbë, nga vendi ku ndalohet personi deri në strukturën përkatëse policore; ose me automjetin e shërbimit policor apo mjete të tjera, që merren apo vihen në dispozicion të Policisë.

Në raste të veçanta, kur verifikimi i identitetit të personit nuk është i mundur, struktura përkatëse policore bën publike pamje, regjistrime ose përshkrime të personit, për të mundësuar identifikimin e tij, duke i shfaqur në mediat e shkruara dhe në ato audiovizive vendore ose kombëtare për aq kohë sa është e nevojshme.

Rregullorja përcakton gjithashtu veprimtaritë e lejueshme private për punonjësit e Policisë, që mund të kryhen jashtë detyrës e që nuk përbëjnë konflikt interesi dhe që nuk lidhen drejtpërdrejt më veprimtarinë policore.

Llojet e veprimtarive private mund të jenë nga në mësimdhënia deri te kurset profesionale, palestrat sportive, menaxhimi i bizneseve,  konsulencë në fusha të teknologjisë, menaxhimit të projekteve jashtë veprimtarisë policore;  investime në pasuri të paluajtshme, veprimtari imobiliare, dhënie me qira shitje dhe blerje të pronave.  Në asnjë rast, ushtrimi i veprimtarive private apo dytësore nuk duhet të ndikojë në ushtrimin e detyrave, kohën e punës dhe veprimtarinë policore.

Për herë të parë, Policia e Shtetit vlerëson dhe pranon donacione përjashtimisht vetëm nga subjekte të cilat plotësojnë kriteret ligjore sipas nenit 139, të ligjit nr. 82/2024, “Për Policinë e Shtetit”, dhe legjislacionit në fuqi mbi konfliktin e interesit.

Sa i përket të drejtës së pushimit vjetor, rregullorja përcakton se për punonjësit e Policisë është 30 deri në 40 ditë kalendarike dhe jepet i shkallëzuar, sipas vjetërsisë dhe gradave. Punonjësi i Policisë gëzon të drejtën e pushimeve vjetore të paguara: 40 ditë kalendarike për punonjësit e Policisë me gradën “Drejtues” deri “Drejtues madhor”; 35 ditë kalendarike për punonjësit e Policisë me gradën “Nënkomisar”, “Komisar” dhe “Kryekomisar”.

30 ditë kalendarike për punonjësit e Policisë me gradën “Inspektor”. Pushimet vjetore mund të jepen të ndara në ditë kalendarike, me miratimin e titullarit përgjatë vitit të punës ose deri në fund të tremujorit të parë të vitit pasardhës.

Në rastet e fatkeqësisë, familja e punonjësit, që jetonte me punonjësin e Policisë në kohën e humbjes së jetës për shkak të detyrës, në ditën përkujtimore të punonjësit, përfiton ndihmë financiare në masën e një page mujore referuese, e njësuar si pagë mujore, në kohën e dhënies së kësaj pagese.

Paga mujore referuese e punonjësit të Policisë përbëhet nga paga për gradë, shtesa për çdo vit vjetërsie shërbimi dhe shtesa për natyrë të veçantë pune që kishte punonjësi, e cila njësohet si pagë mujore, në kohën e dhënies së kësaj pagese. Dhënia e ndihmës financiare miratohet nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe përballohet nga buxheti i miratuar i njësive shpenzuese përkatëse në Policinë e Shtetit.

Një tjetër risi është kompetenca për rekrutimin në nivelet e larta drejtuese. Drejtori i përgjithshëm i Policisë se Shtetit shpall vendet vakante për funksionet zëvendës drejtor të Përgjithshëm, drejtor të departamentit, drejtor të drejtorisë vendore dhe shef të komisariatit në Policinë e Shtetit, e cila qëndron e hapur për 7 (shtatë) ditë.

Share This Article