Pas 23 vitesh, Skype po i thotë lamtumirë përdoruesve të tij. Microsoft ka vendosur ta tërheqë nga tregu aplikacionin legjendar të thirrjeve dhe mesazheve më 5 maj 2025, për t’u përqendruar plotësisht te Teams. Përdoruesit kanë rreth 10 javë për të vendosur se çfarë do të bëjnë me llogaritë e tyre. Edhe pse dikur numëronte rreth 300 milionë përdorues, në vitin 2023 Microsoft raportoi se Skype kishte vetëm 36 milionë, një shifër që e la të kuptohet se fundi ishte i pashmangshëm.
Çfarë do të ndodhë tani?
Përdoruesit kanë dy opsione: të transferojnë kontaktet dhe bisedat në Teams, ose të shkarkojnë të dhënat e tyre përmes opsionit të eksportimit në Skype. Microsoft ka lënë të kuptohet prej kohësh se Skype ishte drejt shuarjes. Në 2016, kompania prezantoi Teams, i cili u pa si një alternativë e Slack, por me ambicie shumë më të mëdha: një platformë gjithëpërfshirëse për komunikim dhe bashkëpunim.
Në 2021, Microsoft e bëri Teams aplikacionin kryesor të komunikimit në Windows 11, duke e lënë Skype jashtë loje. Ndërkohë, në dhjetor 2024, ndaloi mundësinë për të shtuar kredi apo për të blerë numra të rinj në Skype, duke e shtyrë edhe më tej drejt fundit. Për Microsoft-in, vendimi ishte çështje kohe. Sipas kompanisë, minuta e thirrjeve për përdoruesit e Teams është katërfishuar që nga 2023, megjithëse nuk u dha një shifër konkrete se sa përdorues e përdorin Teams për komunikim personal.
Pra, ja ku jemi: një epokë mbyllet për Skype, aplikacionin që dikur revolucionarizoi thirrjet online dhe solli një nga startup-et më të mëdha evropiane të kohës. Nëse ende e përdor, ke edhe pak kohë për të vendosur se çfarë do të bësh me llogarinë tënde.