Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë(KQZ), ka publikuar sot rezultatin paraprak të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, pas numërimit të 100 për qind të votave nga vendvotimet.
Megjithatë, në rezultatin e publikuar nuk përfshihen votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe mbi 80 mijë vota nga diaspora.
Me Ligjin e ri për zgjedhjet, votat e kandidatëve për deputetë numërohen ndaras në Qendrat Komunale të Numërimit. Ky proces ka nisur me vonesë, ndërsa organizatat për monitorim të zgjedhjeve e kanë kritikuar vetë KQZ-në se nuk është përgatitur mjaftueshëm mirë për procesin.
Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, deri më 19 shkurt janë numëruar 92.73 për qind e votave për kandidatët për deputetë, apo 2.340 qendra votimi nga gjithsej 2.533 të tilla.
“Procesi i numërimit ka përfunduar në 31 komuna, ndërkaq është duke vazhduar në Qendrat Komunale të Numërimit në shtatë komuna tjera: Leposaviq, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Zveçan”, është thënë në njoftimin e KQZ-së.