Paraqitet në SPAK nëna e Ajola Xoxës, pyetet për…

Jugulajm.net
2 Min Read

Valbona Xoxa, nëna e Ajola Xoxës, është paraqitur ditën e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Ajo do të pyetet në lidhje me blerjet online që janë bërë nga karta e saj, si dhe për vilën në Qerret, për të cilën SPAK pretendon se është e kryebashkiakut Erion Veliaj, ndërsa ky i fundit thotë se është e familjes Xoxa.

Sa i përket blerjeve online, SPAK ka zbuluar se Ajola Xoxa, ka blerë mbi 860 mijë euro veshje e bizhuteri në markat më luksoze, ku disa blerje janë bërë me kartën e nënës së saj dhe disa të tjera me kartat e bashkëpunëtorëve.

Vetë Ajola Xoxa në një reagim në rrjetet sociale ka deklaruar se shuma e shpenzuar online nuk është ajo që thotë SPAK, por janë vetëm 75 mijë dollarë në 10 vite.

Gjithashtu SPAK do ta pyesë Valbona Xoxën edhe për transaksionet e “Ava Studio”, në të cilën është pronare 100%.

Kujtojmë se SPAK ka lënë në “arrest e burg” kryebashkiakun Veliaj, ndërsa Ajola Xoxa ndodhet nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Sipas SPAK, Erion Veliaj akuzohet për “Korrupsion pasiv”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “pastrim parash”, akuza që rëndojnë edhe ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, e cila ka konsumuar edhe veprën penale: “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Share This Article