Baba Hekurani, misionari i vlerave kombëtare

Jugulajm.net
7 Min Read

Nga Fatjon Skënderi

Urtësi, mirësi, vlera njerëzore dhe kombëtare, frymëzues dhe udhërrëfyes i paqtimit, novator e vizionar, parimor, krijues dhe transfomues i vlerave sublime të komunitetit bektashi.

Thënë me një përkufizim: misionar i vlerave kombëtare. Bëhet fjalë për Baba Hekuran Nikollarin, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë.
Meqë jam i atyre anëve-Përmeti, bash te oaza e rilindasve tanë, thënë ndryshe te pinjollët i identitetit tonë kombëtar (vëllezërit Frashëri), meqënëse kam qenë shumë afër Baba Hekuranit, por edhe në cilësinë e Sekretarit të tij për Teqetë Frashër, Përmet dhe Alipostivan e kam për obligim të hedh në letër disa fjalë.

Rrugëtimi i tij është mbresëlënës, një shembull sesi duhen përfaqësuar vlerat fetare e njerëzore, të atdhedashurisë, sakrificës, guximit, sesi me pasion, vullnet, vizion, kreativitet e mençuri mund të ringjallen kauzat e përthara. Baba Hekurani ishte mishërim i këtyre karakteristikave edhe pse për atë nuk ka qenë e thjeshtë, aq më pak komoditet të ecësh në gjurmët e rilindasve tanë.
Për të patur një qasje sa me objektive, natyrshëm duhet të mbështetesh të paktën në dy parime kryesore: të ofrosh fakte të pakontestueshme dhe të tregosh në mënyrë racionale veprën e dikujt i cili nuk jeton më mes nesh.
Duke lënë mënjanë personalen, d.m.th bashkëpunimin e ngushtë me Baba Hekuranin, duke mos i dhënë shkrimit dimension ndjesish vetjake apo historicizmi, po përpiqem të nxjerr në pah të vërtetat e pamohueshme që sot dukshëm reflektohen nder ne!
Në këtë kuptim, Baba Hekurani ishte misionar, njëkohësisht sa reformues aq edhe transformues. Ai krijoj një mozaik bashkëkohor të bektashizmit, jo vetëm në zonat e jugut, por edhe me gjerë.
Si një maratonomak tejkaloj lokalizmin apo gjeografinë shtetërore të besimit bektashi. Pothuajse nga i gjithë kontinenti ku ka shqiptarë, ai priti me shumë përulësi e përkushtim gjithkënd që trokiste në portat e Teqeve. Shërbeu si pikëtakim, ku mbizotëron njerëzorja, paqja, frymëzimi, besimi dhe atdhedashuria për të gjitha besimet.
Në këtë kuadër emri i tij është gdhendur në memorien kolektive të besimtarëve bektashi, por jo vetëm. Çdo tendencë për relativizim të misionit të tij do të konsiderohej, asgjë më tepër – thjeshtë dashakeqe!
Gjatë kësaj periudhe më është dashur të jem i angazhuar në shërbim të riteve postmortore dhe kam konstatuar se përtej dhimbjes për ndarjen nga jeta të Baba Hekuranit, ndër besimtarë ndihet një lloj dileme: Çfarë do të ndodhë më tej? … do të kemi të njëjtën qasje, motivim, përkushtim, idealizëm, korrektësi dhe vizion për të vijuar në gjurmët e tij, apo ndarja nga jeta e Babait do të krijojë tendenca për përvetësime, manipulime dhe yshtje për të “uzurpuar” shumëçka përmes një emërimi kulisash?!
Dua të jem besimplotë dhe optimist së gjithçka do të jetë transparente dhe demokratike, ku do të mbizotërojë konsensusi me qëllimin e vetëm: gjithçka brenda kornizave që na la trashëgimi ai, që për hir të së vërtetës janë sinjikative!
Nuk dua të jem përsëritës pasi është shkruar dhe komentuar shumë mbi rrugëtimin e Baba Hekuranit, që nga rikthimi në atdhe pas një periudhe emigrimi në Greqi e deri në frymën e fundit të tij, ku evitentohet, puna, vepra, përkushtimi, mirënjohjet… për kontributin e tij.
Megjithatë, nuk mund të lë pa përmendur veçantitë e tij në cilësinë e klerikut. Ai nuk ishte zhurmëmadh, por punë kryer, nuk ishte përçarës, por përbashkues vlerash, nuk pati epsh drejtuesi egocentrik, përkundrazi. Filozofia e tij ishte: kauza dhe misioni e tejkalojnë vetveten.
Kjo filozofi e ndoqi deri në fundin e jetës. Nuk kam për synim ta hiperbolizoj punën dhe veprën e tij. Jo, aspak, thjeshtë po them ca të vërteta të verifikueshme. Prej hirit, ai projektoi dhe ndërtoikulte madhështore e bashkëkohore, prej rrënojave dizajnoi hapësira impozante brenda dhe jashtë objekteve.
Vetëm misionarët idealistë dhe mendjet kreative mund të planifikojnë, projektojnë, ndërtojnë dhe t’i shndërrojnë gërmadhat e kulteve të ngjajnë qyteza që vjen era qytetërim, ku identiteti kombëtar harmonizohet me besimit fetar, apo ku besimtarët e vizitorët të ulën këmbëkryq e të shijojnë një sinkronizim dhe harmonizim kaq brilant.
Mirë se vini- bujrum!
Ftojmë gjithkënd që nuk i ka rënë udha në këto anë, konkretisht te Teqeja e Baba Aliut në Alipostivan, apo te Teqetë në Frashër dhe Përmet . Ejani shikoni e verifikoni, jam mëse i bindur se do të mrekulloheni për gjithçka që la trashëgimi Baba Hekurani.
Ai, rindërtoi dhe i shndërroi Teqetë, jo vetëm si ombrella për besimtarët bektashi, apo si tempuj ku njeriu gjen qetësinë e paqen, po iu dha dimension kulturor, turistik, arkitekturor, duke i shndërruar në monumente historike me të cilat krenohet Shqipëria.
Mjafton një laps i prehur mirë dhe një copë letër për t’i përshkruar objektet që krahas vlerave shpirtërore për besimtarët, ofrojnë pamje mahnitëse për qindra e mijëra vizitorë. Gjithçka është kopsitur më së miri, një vizitor do të përballet me vlerat e rralla kulturore e historike, rreth e qark me standarde bashkëkohore akomodimi e relaksi. Për të mos folur lidhur me mënyrën e organizimit, mikpritjes, komunikimit, menaxhimit apo sesi vetë komuniteti është tërësisht në funksion të vizitorëve të shumtë.
Nga ky këndvështrim, në perspektive, narrativat ( rrëfimet) na lejojnë të shënjojmë periudhën e artë të Baba Hekuranit, sikurse na mundësojnë dhe motivojnë të jemi në lartësinë e veprës që ai la pas.
Ndaj, ai do të mbetet në historinë postmoderne të bektashizmit si njeriu që la pas vepra monumentale, që me përkushtim përmbushi detyrat e tij ndaj besimtarëve, sikurse do të mbetet në kujtesë si përfaqësues i harmonisë fetare dhe mbrojtës i identitetit kombëtar.
Ç ’është e vërteta ky ishte në thelb misioni i tij. Jo me kot postulati pas çdo rituali dhe eventi ishte: SHQIPËRIA DHE KOMBI MBI GJITHCKA!
(Autori është Sekretar i Baba Hekuran Nikollarit për teqetë Frashër, Përmet dhe Alipostivan)

Share This Article