EMRI-FOTO/ Arratisja nga burgu, policia: 10 mijë euro për çdo informacion

Jugulajm.net
2 Min Read

Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion 10 mijë euro për këdo që jep informacion të vlefshëm për lokalizimin dhe arrestimin e Daut Lazes, i cili u arratis nga burgu i Shënkollit. 

Sipas policisë ky person është dënuar në vitin 2021 dhe prej rreth një viti mjekohej për probleme të shëndetit mendor. Ai konsiderohet si një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, dhe për këtë kërkohet bashkëpunim nga qytetarët për vënien sa më parë në pranga të 49-vjeçarit. 

Menjëherë pas njoftimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, se në orët e para të mëngjesit të sotëm, gjatë ndërrimit të turneve dhe kryerjes së apelit në Institucionin e Posaçëm Mjekësor, Lezhë, është konstatuar mungesa e pacientit, shtetasit Daut Laze, 49 vjeç, shërbimet e Policisë së Shtetit kanë organizuar punën dhe po kryejnë kontrolle intensive për gjetjen e tij. 

Policia e Shtetit sqaron se shtetasi Daut Laze është arrestuar në vitin 2021, për veprën penale “Dhuna në familje”, dhe në vitin 2024, Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën “Mjekimi i detyruar në një institucion mjekësor”. 

49-vjeçari paraqet rrezikshmëri shoqërore, prandaj kërkojmë ndihmën e qytetarëve, për të njoftuar menjëherë Policinë e Shtetit, për çdo të dhënë në lidhje me vendndodhjen e tij. 

Në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 49-vjeçarit. 

Policia e Shtetit ka vendosur shpërblimin 10 000 euro për çdo informacion të vlefshëm mbi vendndodhjen e këtij shtetasi. Qytetarët mund të njoftojnë në numrin pa pagesë 112 të Policisë së Shtetit dhe në numrin 068 200 29 61, të vendosur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve”,-thuhet në njoftimin e policisë. 

Share This Article