Tre persona, njëri prej tyre bashkëpunëtor, janë vënë në pranga, pasi akuzohen se në qytetin e Vlorës vodhën me dhunë banesën e turisteve të huaja, të cilën e kishin marrë me qira.
Njëri prej të dënuarve rezulton i dënuar më parë për vrasje në një shtet tjetër. Teksa janë sekuestruar para, makinë dhe telefona.
“Vodhën me dhunë një shumë parash në një banesë të marrë me qira nga dy shtetase të huaja, falë veprimeve intensive hetimore, zbardhet plotësisht ngjarja dhe kapen e vihen në pranga dy autorët e dyshuar.
Në pranga dhe një 33-vjeçar, që ndihmoi autorët e dyshuar të largoheshin nga qyteti i Vlorës. Njëri prej autorëve të dyshuar të vjedhjes, i dënuar për vrasje në një shtet tjetër.
Komisariati i Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Strukturat Hetimore të DVP Vlorë, me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, në vijim të punës për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 06.12.2024, ku u shpallën në kërkim dy autorët e dyshuar për vjedhjen e një shume prej 500 eurosh, një aparati celular Samsung dhe një dokumenti udhëtimi, në një banesë të marrë me qira nga dy shtetase të huaja (njëra kolumbiane dhe tjetra venezueliane), kanë vijuar veprimet e thelluara dhe intensive hetimore me metoda speciale të hetimit, me qëllim dokumentimin e plotë me prova ligjore të kësaj ngjarjeje, lokalizimin dhe arrestimin e autorëve të dyshuar të vjedhjes dhe çdo personi tjetër të përfshirë.
Në këtë kuadër është finalizuar operacioni policor i koduar “Breaking”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasve:
• A. T., 39 vjeç, banues në Vlorë;
• K. B., 41 vjeç (i dënuar për vrasje në shtetin grek) banues në Vlorë;
• O. P., 33 vjeç, banues në Vlorë.
Shtetasit A. T. dhe K. B., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se më datë 06.12.2024 kanë hyrë me forcë në banesën e marrë me qira, në lagjen “1Maji”, nga dy shtetase të huaja dhe, nën kërcënimin e një sendi pistoletë lodër, u kanë vjedhur një shumë prej 500 eurosh, një aparati celular Samsung dhe një dokument udhëtimi.
Dy autorët dyshohet se janë ndihmuar më pas, nga shtetasi O. P. për t’u larguar nga qyteti i Vlorës drejt Tiranës me një automjet tip “Audi”, me qëllim fshehjen nga kontrollet e Policisë. Në momentin e arrestimit, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit O. P., shërbimet e Policisë i kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis”, njofton policia.
Gjatë operacionit janë sekuestruar: një send pistoletë lodër, veshje dhe një automjet tip “Range Rover”, të përdorura nga autorët gjatë kryerjes së krimit, një shumë parash prej 440 euro dhe dokumenti i udhëtimit të vjedhur prej tyre, një automjet tjetër tip “Audi”, një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis dhe 7 aparate celulare.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.