Pothuajse çdo ditë secili nga ne ndeshet me thirrje dhe mesazhe në rrjetet sociale për të ndihmuar të sëmurë.

Por, policia apelon që në këto raste duhet të tregoheni të kujdesshëm, pasi mund të bini pre e ndonjë mashtrimi.

Një rast i tillë është zbuluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Tiranës, ku një 55-vjeçar është arrestuar dhe dy persona të tjerë po ndiqen penalisht në gjendje të lirë.

Sipas policisë, Artur Karati, banues në Përmet me anë të mashtrimit kompjuterik të kryer nga një profil fals në rrjetin social Instagram, duke përdorur fotografi të marra në internet, të një shtetasi të mitur të sëmurë dhe ka përfituar shuma parash nga persona të ndryshëm, me pretendimin se do të përdoreshin për kurimin e të miturit.

Në sajë të hetimeve, ka rezultuar se në llogarinë bankare të vendosur prej 55-vjeçarit janë kryer 117 transaksione bankare nga shtetas të ndryshëm shqiptarë, të cilët janë mashtruar nga profili fals në Instagram.

Ndërkohë, polici vijon hetimet për të zbuluar persona të tjerë që janë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi.