Dje në mbrëmje është plagosur me thikë në Gjirokastër një i ri, i cili ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.

Policia lokale bën të ditur se, Ledion Haska, 21 vjeç, u plagos me thikë në lagjen ‘Kodra e Shtufit’, dhe është dërguar me urgjencë për në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje kritike.

Nga ana tjetër, në orët e para të ditës së sotme është arrestuar autori i dyshuar i këtij krimi, Luljan Dhima, 29 vjeç.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për ngjarjen e ndodhur në lagjen ‘Kodra e Shtufit’, ju informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë për veprën penale ‘Plagosja e rëndë me dashje’, shtetasin L. Dh., 29 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin L. H., 21 vjeç, banues në lagjen ‘Kodra e Shtufit’, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës, Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti prerës (thikë).