Një plagosje e dyfishtë me thikë ka ndodhur një ditë më parë në qytetin bregdetar Sarandës, ndërsa policia vendore shpalli në kërkim autorin e dyshuar të krimit.
Të dëmtuarit mësohet se janë dy vëllezër, 34 dhe 37 vjeç.
Komisariati i Policisë njoftoi se referoi materialet në Prokurori dhe shpalli në kërkim të dyshuarin M. B., 28 vjeç, banues në Sarandë.
Ngjarja ka ndodhur më 8 tetor, orët e para të mëngjesit, teksa pas një sherri për motive të dobëta, i riu ka goditur me mjet prerës thikë, shtetasit E. V., 37 vjeç dhe E. V., 34 vjeç (vëllezër).
“Dy të dëmtuarit janë në spital, janë jashtë rrezikut për jetën. Po punohet për kapjen e 28-vjeçarit”, tha policia vendore.
Materialet e dosjes i kaluan prokurorisë dhe po bëhen verifikime për dinamikën dhe motivin e plagosjes së dyfishtë.