Përveç pagës dhe bonuseve të tjera, Kuvendi i Shqipërisë detyrohet që t’u paguajë disa prej deputetëve edhe qiranë e shtëpisë.

Të gjithë ata deputetë të cilët janë shpërngulur nga qytetet e tjera drejt Tiranës me qëllim për të zgjidhur hallet e qytetarëve dhe t’i përfaqësojnë ata në Parlament, marrin kompensim 350 mijë lekë të vjetra për shtëpitë që përdorin në kryeqytet.

Fatura mujore për këtë shërbim ndaj deputetëve është 7 milionë lekë të vjetra.

Mësohet se ata deputetë të cilët kanë kërkuar financim për qiranë e tyre të shtëpisë janë: Antoneta Dhima, Fadil Nasufi, Teuta Ramaj , Baftjar Zeqaj, Enslemvera Zake, Niko Kuri, Anduel Tahira, Pranvera Resulaj dhe Mirela Pitushi.

Nga deputetët demokratë janë: Saimir Korreshi, Eralda Bano, Greta Bardeli, Sorina Koti dhe Arbi Agalliu.

350 mijë lekëshin e çdo muaji e kanë marrë dhe dy deputetët e Tom Doshit në Shkodër, Gledis Çeliku dhe Meri Markiçi si dhe ata çame: Gëzim Ademaj  dhe Nusret Avdulla.