Një goditje prej 1 milionë eurosh, e arritur brenda 4 minutash.
Këtë ka realizuar të dielën, 11 gusht, një bandë hajdutësh, e lidhur me krimin shqiptar, shkruan ”La Repubblica”.
Këtë ka bërë të ditur policia vetëm 24 orë pas grabitjes së banesës së gazetarit në pension Mimmo Del Giudice.
Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, në një apartament në veri të Romës. ‘Skifterët’ sipas raportimit të ‘tgcom24’ kanë hyrë në shtëpi teksa pronarët gjendeshin brenda dhe ishin duke fjetur.
Grabitësit u ngjitën në ndërtesë dhe arritën të hynin nga një dritare. Kur çifti u zgjua, ata gjetën të gjithë shtëpinë në rrëmujë, përveç dhomës së gjumit.
‘Viktimat besohet të jenë një ish-gazetar parlamentar i RAI-t, Domenico Del Giudice, dhe gruaja e tij, të dy mbi të tetëdhjetat. Policia e komisariatit të Ponte Milvio po heton rastin’, raporton media në fjalë.
Hajdutët, që besohet se janë shqiptarë sipas policisë, arritën të ngjiteshin si akrobatë në katin e tretë të pallatit, edhe pse grilat e dritares ishin mbyllur, duke hyrë brenda vjedhurazi.
Siç duket ata kanë pasur informacion paraprak se pronari i shtëpisë posedonte shuma të konsiderueshme parash, ose edhe mund ta kenë vëzhguar.
Më pas ata kanë arritur të gjejnë çelësin e kasafortës nga i kanë marrë gjërat me vlerë dhe paratë. Ikja e tyre ishte pa zhurmë, pasi çifti i të moshuarve nuk arriti që t’i ndjente, teksa ekspertët shpresojnë të zbulojnë gjurmë daktiloskopike dhe t’i krahasojnë me krimet e ngjashme apo kartelat hetimore.