Policia e Shtetit ka goditur një veprimtari kriminale në fushën e trafikut të drogës dhe armëmbajtjes pa leje.
Gjatë operacionit të koduar “Summer” janë arrestuar e ndaluar 15 shtetas, 3 janë shpallur në kërkim dhe 4 të tjerë janë proceduar penalisht.
Janë ekzekutuar 13 urdhra ndalimi për shtetasit:
Durim Meta, Florian Demiri, Flamur Tare, Diamant Shkina, Sadik Lako, Rustem Kolgjini, Zamir Hoxha, Mariglen Lisi, Saimir Sina, Klodian Sehiti, Mateos Jeshili, Ergert Patlli dhe Gerald Taraj.
Në pranga janë vënë shtetasit Xhuliano Xhaferi dhe Mehmet Meta, ndërsa u shpallen në kërkim Dashamir Mehmeti, Orgito Mema dhe Enis Piro.
Gjatë operacionit janë sekuestruar një arsenal armësh, kokainë, heroinë e kanabis, peshore elektronike, shuma parash të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, automjete e telefona celular.
Njoftimi i policisë:
Durrës/Finalizohet operacioni policor “Summer” pas hetimeve proaktive dy-mujore për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Finalizimi i operacionit nga Seksioni për Hetime Narkotikëve në DVP Durrës, të Policisë Durrës, në drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, me mbështetjen e Forcës së posaçme “Shqiponja” dhe forcave operacionale të DVP Durrës.
Gjatë operacionit janë arrestuar e ndaluar 15 shtetas, 3 janë shpallur në kërkim dhe 4 të tjerë janë proceduar penalisht.
Po gjatë operacionit janë sekuestruar një arsenal armësh, kokainë, heroinë e kanabis, peshore elektronike, shuma parash të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, automjete e telefona celular.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planet operacionale kombëtare “Sundimi i Ligjit” dhe “Tempulli”, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore, bazuar në inteligjencën policore referuan materialet në Prokurori për disa shtetas që ushtronin veprimtarinë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje. Prokuroria e Durrësit bazuar në referimin e bërë nga Policia regjistroi procedimin penal, procedim i cili zgjati dy muaj dhe u ndoq me metoda proaktive.
Nga tërësia e veprimeve hetimore e proceduriale, të kryera si rezultat i hetimit, Gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për 16 shtetas, ku gjatë operacionit u ndaluan 13 shtetas dhe u shpallën në kërkim tre shtetas që nuk u gjetën gjatë operacionit për ekzekutimin e urdhrave të ndalimit, të lëshuara nga Prokuroria, dhe konkretisht:
D.M., 53 vjeç, F. D., 44 vjeç, F. T., 57 vjeç, D. Sh., 33 vjeç, S. L., 34 vjeç, M. L., 29 vjeç, S. S., 32 vjeç, K. S., 34 vjeç, M. J., 34 vjeç, E. P., 33 vjeç, G. T., 32 vjeç, banues në Durrës , R. K., 50 vjeç, banues në Shijak dhe Z. H., 48 vjeç, banues në Kavajë.
Si dhe u shpallën në kërkim pasi nuk u gjetën në banesa gjatë operacionit shtetasit:
D.M., 41 vjeç, O. M., 20 vjeç, dhe E. P., 46 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë shtetasit Xh. Xh., 27 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit në banesë Policia i gjeti një sasi lënde narkotike kokainë dhe heroinë dhe M. M., 23 vjeç, banues në Durrës, pasi Policia i gjeti në banesë një armë zjarri pistoletë.
Gjithashtu janë proceduar penalisht edhe katër shtetas pasi janë gjetur me nga një sasi të vogël lënde narkotike dhe ishin të shoqëruar me personat që u ndaluan.
Ne kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
1 armë zjarri e llojit kallashnikov, 3 pistoleta, 1 pushkë, 1 çifte, municion luftarak, qindra doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, heroinë, kanabis, 20 telefona celular, 7 automjete, peshore elektronike dhe një shumë parash e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Arsenali i armëve është gjetur gjatë operacionit në Kavajë në banesën e shtetasit Z.K ku u gjetën tre armë zjarri dhe një armë gjahu, një armë zjarri pistoletë në banesën e shtetasit D.M, banues në Durrës i shpallur në kërkim dhe një armë zjarri pistoletë në banesën e shtetasit M. M., 23 vjeç, banues në Durrës, i arrestuar në flagrancë.
Theksojnë se gjatë hetimeve proaktive mbi bazën e autorizimeve të lëshuara nga Prokurori i çështjes, janë bërë shumë blerjeve të simuluara personave të ndryshëm, të dokumentuara këto me pamje filmike, me dron, përgjime ambientale dhe sekuestrime të lëndës narkotike.
Po punohet për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.