Këto që shihni në foto janë tre të rinjtë e arrestuar nga operacioni i zhvilluar nga Antidroga në Tiranë.
Ervin Rakipi, Xhelo Ajasllari dhe Paolo Shyti u vunë në pranga teksa tentonin të shisnin një sasi kokaine prej 1.1 kg.
Arrestimi i tyre u bë në afërsi të rrugës “Myslym Shyri”, teksa raportohet se gjatë aksionit 3 personat kanë tentuar të largohen me vrap, por janë kapur nga agjentët e antidrogës.
Agjentët e Antidrogës kishin informacion për këtë aktivitet kriminal dhe prej muajsh kishte nisur përgjimet dhe ndjekjen e këtyre personave.
Në total policia ka sekuestruar 1.1 kg kokainë. Kjo e fundit transportohej nga Fieri.
Pas porosisë, autorët e sollën lëndën narkotike me një mjet tip “Fuoristradë KIA”.
Takimin e kishin lënë te një karburant në rrugën “Myslym Shyri” në kryeqytet.
“Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “Collaboration 3”.
Sekuestrohen 1 kg e 130 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë. Vihen në pranga 3 shtetas.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, dhe në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Tempulli 3”, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Collaboration 3”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: P. Sh., 35 vjeç, Xh. A., 23 vjeç, dhe E. R., 43 vjeç, të tre banues në Tiranë. Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Myslym Shyri”, shtetasit e lartpërmendur, dhe gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit P. Sh., shërbimet e Policisë i gjetën 1 kg e 130 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Gjatë ndërhyrjes, shtetasi E. R. nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë.
Lënda narkotike, së bashku me një automjet dhe celularët e shtetasve të arrestuar, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, thotë Policia e Tiranës.