Trupi i Eraldo Nevruzit, recepsionistit të vrarë në Dhërmi vijon në kërkim nga policia, por kanë rënë në pranga dy personat që dyshohet se e kanë fshehur atë.
Në pranga kanë rënë Danial Qose dhe David Larti, të cilët dyshohet se ndihmuan pronarin e hotelit të fshihnin trupin e viktimës, Eraldo Nevruzit.
Danieli, 33 vjeç dhe Davidi 30 vjeç, të dy banues në Korçë, ishin të punësuar në hotelin, ku dhe kanë ndihmuar pronarin të fshihnin trupin e kolegut të tyre.
Po ashtu, policia njofton se nga këqyrja e banesës ku qëndronte autori Geraldo Shehu, në një kasafortë në dhomën e gjumit, shërbimet e Policisë gjetën 1 fishek arme zjarri, me kapsollë të goditur, i cili u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminim.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, Geraldo Shehun për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe për Danial Qose dhe David Larti për veprën penale “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, kryer në bashkëpunim.