Policia spanjolle ka prangosur një çift shqiptar, pasi dyshohet se në qytetin e Adorit, kanë ngritur një plantacion kanabisi.

Mediat spanjole shkruajnë se çifti i të rinjve i moshës 27 vjeç dhe 22 vjeçe, kishin kultivuar 809 bimë kanabisi me peshë 177 kilogramë.

Hetimet për rastin kishin nisur nga autoritetet spanjolle pas dyshimeve dhe raportimeve të shumta për një aktivitet të dyshimtë në banesën, ku ishin kultivuar bimët narkotike.

Ishte era e bimëve narkotike ajo që i tradhtoi për veprimtarinë kriminale dhe që përfundoi në kontrollin e banesës dhe si rrjedhojë arrestimin e dy të rinjve.

Dy shqiptarët tashmë të arrestuar, akuzohen për krim kundër shëndetit publik dhe vjedhje e energjisë elektrike, e cila ishte përdorur për rritjen artificial e të bimëve narkotike.