Një 31 vjeçar, i dënuar me 19 vite burg për një vrasje është arrestuar nga policia e Fierit. Në pranga ka rënë Sadri Selaci, i cili akuzohet për një vrasje të ndodhur në vitin 2019. Ngjarja ka ndodhut te “Ura e Zharrës”, ku Selaci në bashkëpunim me një shtetas tjetër, që ndodhet në burg, vranë me thikë Florian Selimin.
Pas 5 vitesh arrati 31 vjeçari është kapur për të vuajtur dënimin e tij.
“I dënuar me 19 vjet burgim, për një vrasje me mjet prerës (thikë), të kryer në vitin 2019, kapet dhe vihet në pranga 31-vjeçari.
Në zbatim të planit të masave, të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Sharp”, si rezultat i të cilit u kap shtetasi i shpallur në kërkim Sadri Selaci, 31 vjeç.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, me vendimin e datës 06.07.2023, e ka dënuar këtë shtetas, me 19 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Më datë 11.08.2019, në vendin e quajtur “Ura e Zharrës”, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin K. M. (aktualisht vuan dënimin në IEVP), ka vrarë me mjet prerës (thikë), shtetasin F. S.”- njofton policia.