DVP Gjirokastër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Delta”. Goditet një tjetër rast i transportimit të kundërligjshëm të emigrantëve.
Bashkautorë për transportimin kundrejt pagesave, të 8 emigrantëve nga India, arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe punohet për kapjen e një tjetri.
Sekuestrohen 3 automjete tipe “Benz” dhe “Audi”, të përdorura për këtë veprimtari të kundërligjshme, si dhe 2 celularë.
Si rezultat i ndjekjes së shpejtë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se 3 shtetas do të kryenin në mënyrë të organizuar, transportimin e disa emigrantëve, me qëllim kalimin e kundërligjshëm të kufijve, specialistët e strukturave për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, operacionale dhe të Policisë Rrugore organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Delta”.
Gjatë operacionit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit K. P., 22 vjeç dhe E. K., 22 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. R., 21 vjeç, të tre banues në Lushnjë.
3 automjeteve që drejtonin këta shtetas iu është bërë shenjë për të ndaluar, në aksin rrugor “Tepelenë-Krahës”. Drejtuesit nuk i janë bindur urdhrit por kanë vijuar me shpejtësi lëvizjen.
Menjëherë, shërbimet e Policisë iu janë vënë në ndjekje dhe si rezultat është bërë e mundur kapja e dy 22-vjeçarëve.
Nga kontrollet, në automjetin që drejtonte shtetasi E. K. dhe në atë që drejtonte shtetasi A. R. u gjetën në total 8 emigrantë nga India, ndërsa nga hetimet dyshohet se shtetasi i arrestuar K. P. kontrollonte rrugën për të sinjalizuar prezencën e Policisë.
Punohet për kapjen dhe ndalimin e shtetasit A. R..
Materialet procedurale kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.