E. Sh., efektiv policie i Forcës Operacionale në Policinë e Shtetit, është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) pasi rezulton që të ketë qenë i përfshirë në trafikun e kokainës në Tiranë, në ngjarjen e datës 21 Mars 2024 ku njëri prej trafikantëve u plagos nga një punonjës policie.
Sipas AMP, efektivi i Operacionales është i dyshuar për veprën penale prodhim dhe shitje droge e kryer në bashkëpunim.
Si rezultat i hetimeve intensive u bë e mundur sigurimi i provave dhe i fakteve mbi dyshimet se punonjësi i policisë, inspektor Ervis Sh. me lidhje të ngushtë shoqërore me njërin prej personave të arrestuar, ka qenë pjesë aktive e sigurimit të kushteve për tregtimin e lëndës narkotike prej 1 kg kokainë, si dhe ka patur dijeni të plotë për personat dhe vendin ku do ndodhte shkëmbimi i lëndës narkotike.
Në ngjarjen e dy ditëve më parë në kryeqytet, policia arrestoi 3 persona që transportonin 1 kg kokainë me makinë. Drejtuesi i mjetit nuk iu bind urdhrit të policisë dhe i dha gaz mjetit duke rrezikuar punonjësit e policisë.
Në këto kushte, njëri prej efektivëve qëlloi me armë në drejtim të makinës së dyshuar duke lënë të plagosur drejtuesin. Ky i fundit u dërgua në spital jashtë rrezikut për jetën.
Në automjet bashkë me të kanë qënë edhe dy persona të tjerë të cilët janë shoqëruar në ambientet e policisë.