Një 18-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pasi u kap në flagrancë me armë zjarri pushkë dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se i shiste në Sarandë.
Armët iu gjetën gjatë kontrollit fizik ndaj L. V., i cili po udhëtonte me motomjet. Në pranga është gjithashtu edhe shoku i tij, 20-vjeçari O. Xh., si dhe nisi hetimi për një 17-vjeçar. Dy të rinnjtë dyshohet se kishin dijeni për veprimtarinë kriminale të 18-vjeçarit.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Strike 7″, për goditjen e një rasti në këtë fushë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Arma e zjarrit pushkë, municioni luftarak dhe motomjeti që drejtonte 18-vjeçari, në momentin e kapjes në flagrancë nga Policia, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.