Një ngjarje e rëndë tronditi Kurbinin mëngjesin e sotëm, ku në rrethana ende të paqarta dhe motive mister, u vra ekonomisti i një firme inertesh dhe plagos pronari i pikës.
Policia ka zbardhur disa nga rrethanat, si dhe identiteti i pronarit të firmës ku ndodhi krimi i rëndë, i cili mbeti i plagosur.
Bëhet fjalë për Arian Gjeloshin. Ky i fundit ndodhet në spital, ndërsa nuk dihet gjendja e tij. Sakaq, nga ky atentat mbeti i vrarë Selman Mihana, 70 vjeç.
“Rreth orës 07:00, është marrë njoftim se në fshatin Gurez, Kurbin, në ambientet e një firme ku përpunohen inerte, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi Selman Mihana, rreth 70 vjec, ekonomist i firmës, si dhe është plagosur pronari shtetasi A. GJ, rreth 51 vjec, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë Vendore kanë shkuar në vendngjarje, është rrethuar zona dhe vijon kontrolli i territorit”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve.
Me interes pritet dëshmia e Gjeloshit. Në ndihmë të Policisë vendore kanë shkuar forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Forcat Speciale Renea.