Një tjetër version raportohet të ketë dhënë Naim Murseli para Prokurorisë Themelore të Prishtinës. Ai ka mohuar përfshirjen në vrasjen e bashkëshortes Liridona Ademajt, e po ashtu problemet në martesën e tyre.
Është avokatja e tij, Teuta Zhinpotuku, e cila e konfirmon këtë nëpërmjet një prononcimi për Indeksonline.
“Dëshmia e të pandehurit Naim Murseli ka mbaruar. Me sot është kryer deklarimi i tij pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë , i cili në tërësi e ka mohuar versionin e dhënë gjatë intervistimit në Polici.
Deklarata e tij ka qenë e dhënë në detaje në shpjegimin e ngjarjes që ka mohuar implikimin e tij në këtë rast. Informatat të cilat janë publikuar lidhje me raportet e tendosura në mes të bashkëshortëve lidhur me besnikerinë e tyre, i pandehuri në tërësi i ka mohuar. Prokuroria vazhdon me grumbullimin e provave të mëtejshme”, tha ajo.

Naim Murseli akuzohet si porositësi i vrasjes së bashkëshortes së tij 30-vjeçare, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 29 Nëntorit në Prishtinë.
Për këtë ngjarje në pranga janë vënë edhe Granit Pllava, i dyshuar si ekzekutor dhe Kushtrim Kokalla, si bashkëpunëtor në krim.
Në dëshminë e dhënë në polici pas arrestimit, Naim Murseli deklaroi se kishte qenë në dijeni që Granit Plava ishte personi që qëlloi me armë zjarri bashkëshorten e tij.
Në polici ai pranoi po ashtu se ishte takuar me Pllavën ditën e vrasjes, e madje se paratë për të blerë armën ia kishte bërë dhuratë vetë ai Pllavës.
Megjithatë edhe para efektivëve të policisë, Murseli e mohoi porositjen e vrasjes së Ademajt.