Drejtori i Monitorimit dhe Mbikqyrjes në Agjencinë Kombëtare Ujësjellës Kanalizime dhe Mbetjeve te Ngurta në Tiranë, Arben Kacorri, është marrë në pyetje nga SPAK për aferën e inceneratorëve.
Burime të Dosja.al, bëjnë me dije se prokurorë të SPAK dhe agjentë të BKH-së i kanë shkuar drejtorit të këtij institucioni për kontroll në zyrën e tij.
Po ashtu kontrolli i SPAK është shtrirë dhe në banesën e Kacorrit.
Kujtojme se Arben Kacorri ka qene Kryetar i Partise Socialiste Tepelene.
Gjithashtu bëhet me dije se, Kacorri nuk është drejtori i vetëm në Bashkinë Tiranë që i është bërë kontroll në zyrë dhe në banesë për këtë aferë.
GJKKO ka lëshuar më parë 15 udhëra-arresti për aferën e Inceneratorit të Tiranës. Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masat për 14 personat e hetuar nga SPAK në lidhje me koncensionin për inceneratorin e Tiranës. Masa e sigurisë është ndryshuar vetëm për Jetmir Llapajn, anëtar i Qendrës Kombëtare të Biznesit, i cili është lënë në “arrest shtëpie”. GJKKO ka lënë në burg 5 të arrestuar si Taulant Tusha, Namir Simirxhiu, Bledar Karoli, Lefter Koka dhe Alqi Bllako ndërsa në ‘arrest shtëpie’ janë 7 të tjerë, konkretisht Etleva Kondi, Valbona Ballgjini, Alba Thoma, Sidita Kopliku, Silena Toma, Pëllumb Abeshi dhe Jetmir Llapaj. Ndërkaq pronarët e koncesionarit “Integrated Energy B.V SPV” Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, janë në kërkim.