Policia Rrugore në Gjirokastër gjatë muajit dhjetor ka arrestuar 2 persona, pasi janë kapur pa patentë duke drejtuar makinat.
Ndërkohë u janë hequr patentat 5 shoferëve për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, si shpejtësi e lartë.
1645 drejtues mjetesh janë gjobitur.
Njoftimi i policisë:
Policia Rrugore e Gjirokastrës, e pranishme 24/7, në të gjitha akset rrugore të qarkut, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Gjatë muajit dhjetor 2023, janë vënë në pranga 2 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti, pa leje drejtimi, janë proceduar në gjendje të lirë 8 drejtues mjetesh, për shkelje të rregullave të tjera të qarkullimit, si dhe janë pezulluar 5 leje drejtimi.
Kontrollet e shërbimeve të Policisë Rrugore, me pajisje të logjistikës bashkëkohore, kanë si qëllime: parandalimin e aksidenteve rrugore me pasoja për jetën e përdoruesve të rrugës, rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe lehtësimin e qarkullimit në qytet dhe në akset lidhëse.
Në këtë kuadër, gjatë muajit dhjetor, janë ndëshkuar administrativisht në total, 1645 drejtues mjetesh, të ndarë konkretisht:
-451 drejtues mjetesh, për ndalim ose pushim të automjetit, në kundërshtrim me sinjalistikën rrugore;
– 412 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara;
– 207 drejtues automjetesh, për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
– 381 drejtues mjetesh, për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara;
– 194 drejtues automjetesh, për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Policia e Rrugore e Gjirokastrës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe të kallëzojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së tyre.