Bashkia e Memaliajt ka shprehur gatishmërinë për të strehuar emigrantët që pritet të vijnë në vendin tonë nga marrëveshja me Italinë.
Kryebashkiaku i Memaliajt Albert Malaj, pranon se i ka përcjellë një letër-propozim kryeministrit Edi Rama për strehimin e refugjatëve në territorin e bashkisë që ai drejton.
Në një reagim për Jugulajm.net, Malaj pranon se në letër i ka ofruar kryeministrit të vendit dy lokacione që të jenë të përshtatshme për strehimin e refugjatëve që do të vijnë prej Italisë.
Lokacioni i parë është ndërtesa dy katëshe e ish shkollës 8 vjeçare të Memaliajt e cila sot e kësaj ditë është e papërdorshme. Ndërsa lokacioni i dytë është ish spitali i Memaliajt godinë tre katëshe. Të dyja këto ndërtesa ndodhen në brendësi të qytetit.
Ndërsa lokacion tjetër mendohet të jenë të hapura në fushë. Sipas Malajt, tek të dy ndërtesat duhet fillimisht të investohet që të jenë të përshtatshme për t’u akomoduar refugjatët, e ndërsa kjo bashki nuk ka kapacitet financuar për t’i ndryshuar fizikisht. Malaj ka kërkuar vlerësimin e konditave akomoduese dhe investuese nga qeveria.
Kapaciteti total akomodues vlerësohet diku tek 1000. Kryebashkiaku i Memaliajt shprehet se këtë iniciativë dhe vetofrim për strehimin e refugjatëve, e ka të bazuar në eksperiencën e tij personale pasi si ish ushtarak që ka shërbyer në FA të Shqipërisë në misionet jashtë vendit si në Afganistan apo dhe zona të konflikte, ka përballuar dhe menaxhuar flukse të tilla refugjatësh. Ndërkaq Memaliaj, siç thotë ai ka eksperiencën e saj pritëse dhe akomoduese që prej vitit 1999 kur ka pritur me mijëra kosovarë në kohën e luftës.