Një shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar nga policia e Durrësit me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Bëhet fjalë për 47-vjeçarin Dashamir Koka, i cili është i dënuar me mbi 11 vite burgim nga gjykata e Milanos për disa vepra të rënda penale.
“Vijon operacioni policor kombëtar i koduar “Sundimi i ligjit”. Kapet një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
I dënuar me mbi 11 vjet burgim, nga autoritetet gjyqësore në Milano, për 4 vepra të rënda penale kundër personit, arrestohet provizorisht për t’u ekstraduar, 47-vjeçari.
Ndalimi i 47-vjeçarit, nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me FAST Albanian.
Gjykata e Apelit e Milanos e ka dënuar 47-vjeçarin, me 11 vjet e 4 muaj burgim, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë, “Tortura”, “Rrëmbimi i personit” dhe “Marrëdhënie seksuale me dhunë”, të parashikuara nga Kodi Penal italian. Nga dënimi i plotë, shtetasit Dashamir Koka i kanë mbetur për të vuajtur 10 vjet, 3 muaj dhe 13 ditë burgim.
Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me homologët, për të kryer ekstradimin e shtetasit Dashamir Koka, në Itali.”- njofton policia.