Një ngarkesë e madhe me drogë, që vinte nga Shqipëria është kapur në Igumenicë.

Sipas mediave fqinje, në një fuoristradë “Volvo” janë sekuestruar rreth 75 kg marijuanë.

Mjeti është ndaluar rastësisht nga Qarkullimi Rrugor i Igumenicës për kontroll dokumentacioni.

Bëhet me dije se policia helene kishte informacion për trafikun e lëndës narkotike, dhe sapo automjeti i markës “Volvo” me targa greke hyri në territorin grek nga dogana e Qaf Botës, u vu në vëzhgim dhe pak në hyrje të qytetit të Igumenicës u bë i mundur ndalimi i tij.

Për gjetjen e drogës u përdor edhe qeni i policisë me emrin Lusi.

I arrestuari fillimisht mohoi se po transportonte lëndë narkotike, por gjetja e pakove të fshehura në bazamentin e bombulës së gazit dhe vendit të krijuar rishtaz në bazamentin e sediljeve të makinës, nuk la shumë vend për mohim të aktivitetit të tij kriminal.

Në vende të improvizuara enkas në bazën e gazit dhe poshtë sediljeve te pasagjerit dhe shoferit, janë gjetur dhe sekuestruar 79 pako me 74 kg 886 gram marijuanë. Sakaq, është arrestuar drejtuesi i mjetit.

Sipas policisë në pranga u vu një shtetas grek me origjinë shqiptare, ndërsa automjeti dhe lënda narkotike u sekuestruan.

Policia po heton lidhur me pritësit e ngarkesës dhe arrestimin e tyre.