Një 3-vjeçar ka humbur jetën tre ditë më parë në Tiranë. Raprtohet se sipas prindërve, dyshohet se fëmijës i është injektuar një dozë e lartë narkoze në klinikën dentare.
Bëhet e ditur se prindërit e 3-vjeçarit kanë bërë denoncimin në komisariatin Nr.4 ndaj klinikës.
I ati i 3-vjeçarit Guri Spahiu akuzon klinikën dentare private në pronësi të R.Xh. në Rrugën e Kavajës.
Sipas asaj që gazetari raporton, mësohet se pasi mjeku i ka bërë grafinë, u ka thënë prindërve se fëmijës duhet t’i rregullohen 13-14.
E për këtë shkak, është vendosur të ndërhyhet me narkozë totale. Pasi ka përfunduar ndërhyrja, fëmija nuk është zgjuar.
Sipas informacioneve të gazetarit, mjeku informoi prindërit që ta merrnin fëmijën në banesë me argumentin se 3-vjeçari do të zgjohej.
Por i mituri nuk ka dhënë shenja reagimi as në banesë. Në këtë moment, prindërit telefonuan klinikën, e sipas tyre, askush nuk u është përgjigjur në telefon.
3-vjeçari u dërgua në spital, në pavionin e pediatrisë, në gjendje kome ku ka qëndruar 2 ditë dhe ka ndërruar jetë.
Policia ka bërë veprimet e para duke marrë në pyetje mjekun dhe stafin e klinikës. Këta të fundit kanë deklaruar se fëmijës i kanë injektuar sasinë e duhur të anestezisë.
Rasti është referuar në prokurori për vepër penale “Neglizhencë në Mjekim”, e cila konsiderohet sipas Kodit Penal si kundravajtje penale dhe jo vepër penale. Policia dhe prokuroria po presin autopsinë e 3-vjeçarit për të kryer veprime të tjera.