Rreth 1 ton kokainë është sekuestruar nga policia portugeze dhe ajo spanjolle në bashkëpunim me DEA-n amerikane, e cila ishte nisur nga Afrika me destinacion final Spanjën.
Kokaina ndodhej në një anije peshkimi pa flamur në ujërat e Cape Verde, më konkretisht 600 milje larg shtetit afrikan.
Operacioni u ekzekutua pas informacioneve nga DEA, e cila paralajmëroi autoritetet spanjolle ekzistencën e një organizate kriminale ndërkombëtare që do të tentonte të kryente transferimin e një sasie të madhe të kokainë nga një anije në tjetrën në det të hapur.
Mediat vendase raportojnë se janë arrestuar 6 anëtarët e ekuipazhit të anijes së peshkimit, ku dy prej tyre me kombësi shqiptare dhe pjesa tjetër me kombësi guajane. Kokaina ishte e ndarë në 40 pako, dhe ndodhej në anijen e quajtur ‘Mathieu’, e regjistruar në portin e Georgetown, e cila po lundronte pa flamur.