Një 59-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri këtë të martë në malin e fshatit Matohasanaj. Policia bën të ditur se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes dy barinjve, ndërsa autori është vënë në pranga.
Njoftimi i policisë:
Plagosi me armë zjarri në malin e fshatit Matohasanaj një 59-vjeçar, për shkak të një konflikti për motive të dobëta ndërmjet tyre, si rezultat i reagimit të menjëhershëm të Policisë kapet dhe arrestohet 30-vjeçari.
Salla operative e Komisariatit të Policisë Tepelenë ka marrë njoftim nëpërmjet një telefonate se në malin e fshatit Matohasanaj, njësia administrative Lopës, një shtetas kishte plagosur me armë zjarri (pushkë) një shtetas tjetër (të dy barinj).
Shërbimet e Policisë kanë organizuar menjëherë, punën dhe kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të Policisë, është kapur dhe vënë në pranga shtetasi Blerim Luzi, 30 vjeç, banues në fshatin Matohasanaj, pasi në malin e këtij fshati, për shkak të një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri (pushkë), shtetasin Sokrat Zeraj, 59 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.