Një 23-vjeçar është vënë në pranga pasi tentoi të vidhte një bankë në zonën e Unazës së Re në Tiranë.
Policia thotë se e ka arrestuar në flagrancë Enrik Ismalaj. I riu kishte hyrë për të vjedhur filialin e bankës.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe më informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas, në rrugën “Teodor Keko”, në Unazë të Re, po tentonte të vidhte në një filial banke, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e autorit të dyshuar dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore. Si rezultat i punës së mirëorganizuar është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Teodor Keko”, shtetasi E. I., në tentativë për të vjedhur në një filial banke”, njoftoi policia.
23-vjeçari është vënë në pranga për tentativë të vjedhjes së bankave dhe shkatërrim të pronës.