Një megaoperacion kundër një organizate kriminale shqiptare është realizuar me koordinim të Eurojust dhe pjesëmarrjen e 600 policëve në Itali, Gjermani dhe Holandë.

Autoritetet policore të Bashkimit Europian bëjnë me dije se janë ekzekutuar 35 masa arresti në shtete të ndryshme dhe pjesa më e madhe e tyre janë shtetas shqiptarë.

Bëhet fjalë për një organizatë kriminale të përbërë kryesisht nga shqiptarë që operonte në këto tre shtete duke importuar sasi të mëdha të drogërave të forta. Për një periudhë një vjeçare nga viti 2020 deri në 2021, kjo organizatë është përgjegjëse për importimin e 1 ton kokaine nga Amerika Latine, që nëse do të ishte hedhur në treg, do të kapte vlerën e 1 miliard eurove.

Gjithashtu anëtarët e organizatës ishin identifikuar si persona tepër të dhunshëm, të cilët merrnin peng persona në këmbim të rryshfetit si dhe aplikonin torturën, raporton Eurojust.

Identitetet e personave të arrestuar nga kontrollet në 55 banesa dhe objekte të ndryshme, nuk janë bërë të ditur.