Shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi kanë njoftuar se u kanë ardhur në ndihmë dy turistëve holandezë, të cilët kishin mbetur të izoluar në gjirin e Filikurit.
Mbrëmjen e djeshme, salla operative e Komisariatit të Policisë Himarë është njoftuar se për shkak të terrenit të vështirë dhe të thepisur, 2 turistë holandezë të cilët po eksploronin zonën, kishin mbetur të izoluar në gjirin e Filikurit dhe se njëri prej tyre ishte dhe i dëmtuar nga rrëzimi.
Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi kanë organizuar punën për t’iu shkuar në ndihmë 2 turistëve. Pas disa orësh kërkimi, nga shërbimet e Policisë të ndarë në grupe kërkimi përmes detit dhe përmes tokës, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe gjetjen e turistëve.
Të dy turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore.