Një grua ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Korçë, pasi u plagos me thikë nga bashkëshorti i saj.

E plagosur ka mbetur 38-vjeçarja Marjola Myrtollari, ndërsa autor i dyshuar i ngjarjes është Aleko Myrtollari, 46 vjeç.

Burime zyrtare të policisë thonë së ngjarja ndodhi rreth orës 22:00, në shtëpinë e çiftit Myrtollari në lagjen nr.10 të qytetit të Korçës. Menjëherë pasi plagosi gruan, autori i dyshuar u arratis dhe policia po punon për kapjen e tij.

Paraprakisht shkak për ngjarjen e rëndë dyshohet të jetë bërë xhelozia. Çifti i bashkëshortëve kanë 3 fëmijë.

Ata jetonin me qira në Korçë prej rreth 1 muaji e gjysmë. Ata mësohet se kishin konflikte, pasi bashkëshorti dyshonte se gruaja e tij e tradhtonte. Po ashtu, përveç problemeve të vazhdueshme, 46-vjeçari mësohet se ushtronte edhe dhunë fizike nga gruas.

Ka qenë vajza 16-vjeçare e çiftit që e ka gjetur të ëmën të gjakosur dhe ka njoftuar policinë. 38-vjeçarja ka marrë disa plagë në pjesë të ndryshme të trupit.

Fillimisht në banesë kanë qenë edhe fëmijët e çiftit, por autori i ka nxjerrë jashtë dhe më pas ka goditur disa herë më thikë bashkëshorten. Aleko Myrtollari raportohet po ashtu se konsumonte alkool dhe rrinte shpesh i dehur. Ai punonte jashtë shtetit për pak muaj, ndërsa bashkëshortja ishte e papunë.